Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nuk ka hapa seriozë nga PDK dhe LDK për sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e gatshme për marrëveshje dhe shmangie të zgjedhjeve të reja.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka folur para seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga kjo parti për Presidentin.
Ajo tha se kërkesa për tre kandidatë është bërë në mënyrë që edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe PDK dhe LDK të jenë pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit.
“Përtej deklaratave e deklarimit se i kemi 15 nënshkrime, ato duhet të shihen. Unë kam të gatshme nënshkrimet edhe për seancë edhe për president. S’mjaftojnë deklaratat”, tha Nagavci.
Ajo shtoi se kanë pritur gjatë fundjavës për nënshkrimet nga partitë tjera, por sipas saj, nuk ka pasur lëvizje konkrete.
“Për ne besoj që Kuvendi është vendi ku duhet edhe të bëhen debatet, por edhe të merren vendimet e rëndësishme… Nuk ka hapa serioz”, deklaroi ajo.
Nagavci tha se LVV ka bërë propozime për të shmangur zgjedhje të reja dhe ka propozuar që LDK dhe PDK të sjellin tre kandidatura, për të mundësuar një marrëveshje.
“Ajo që kemi propozuar është që LDK dhe PDK të ofrojnë tri propozime, dhe ne të tërheqim dy kandidaturat tona… por nuk kemi parë asgjë konkrete”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se nuk ka pranuar nënshkrime nga partitë tjera, ndonëse sipas saj LVV ka qenë e gatshme të plotësojë kushtin e nevojshëm prej 30 nënshkrimeve për kandidatët.

