Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Feride Rushiti, të tërhiqet nga kandidatura për presidente.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Rushiti do t’i bënte nder shtetit dhe vetes po që se largohet nga kandidimi.
Në një konferencë për media Çitaku akuzoi partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe kryetarin e saj Albin Kurti për “tejkalim të të gjithë kufijve”.
“Në këtë situatë reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit tonë Ne si subjekt politik opozitar do t’ i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë. Sot nga Kuvendi dua të apeloj te partia në pushtet që t’i ndërpresë të gjitha këto veprime karateje të dhunës politike. S’është kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit. Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit. E turpshme për shtetin dhe atë vet. Më vjen keq që ka pranuar të huazojë emrin e saj për maskaradë politike”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë po ashtu se shkelja e qëllimshme e Kushtetutës është rrezik për themelet e shtetit.
“Kushtetuta, ligjet dhe rregullorja nuk mund të interpretohen sipas interesit ditor politik. Dhe kur një kryeministër, lider politik, zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik edhe për vetë themelet e shtetit. Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjin. Dhe këtë nuk do ta lejojmë. Dhe këtë, së bashku me qytetarët e Kosovës, do ta ndalim. Stop dhunës politike në Kuvend”, ka theksuar Çitaku.

