Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit ka ngritur shqetësimin për një situatë që e cilëson të papranueshme dhe me pasoja të drejtpërdrejta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, pas tërheqjes së rreth 2 milionë eurove nga buxheti i saj përmes procedurave përmbarimore.
Sipas kësaj drejtorie, ditëve të fundit janë ekzekutuar pagesa përmbarimore në vlerë të konsiderueshme, ku rreth 1 milion euro janë marrë nga kategoria “Mallra dhe Shërbime”, e cila sipas tyre është e destinuar për furnizime bazike dhe funksionimin e rregullt të institucioneve shëndetësore.
Në reagim, Drejtoria e Shëndetësisë thekson se ky veprim përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj sistemit shëndetësor lokal, duke paralajmëruar se pasojat tashmë janë të pashmangshme në funksionimin e përditshëm të shërbimeve.
“Kjo situatë do të reflektohet drejtpërdrejt në kufizimin e shërbimeve shëndetësore, mungesë të furnizimeve dhe vështirësi serioze në ofrimin e kujdesit për qytetarët,” thuhet në qëndrimin e Drejtorisë.
Po ashtu, theksohet se çdo mjet buxhetor i këtij sektori është i dedikuar për barna, pajisje mjekësore dhe shërbime për pacientët, duke e bërë këtë ndërhyrje financiare veçanërisht problematike për funksionimin normal të institucioneve shëndetësore.
Drejtoria e Shëndetësisë apelon që qytetarët të informohen për situatën, duke paralajmëruar se ofrimi i shërbimeve shëndetësore mund të përballet me kufizime si pasojë e zhvillimeve të fundit financiare.

