Friday, May 1, 2026
HomeEkonomiMbi 7 milionë euro borxh i keq i rrymës u janë tarifuar...

Mbi 7 milionë euro borxh i keq i rrymës u janë tarifuar konsumatorëve

Edhe pse një pjesë e konsumatorëve ndër vite kanë shpenzuar energji elektrike pa e paguar, borxhi i tyre vazhdon t’u faturohet qytetarëve të tjerë. Vetëm këtë vit, mbi 7 milionë euro borxh do të shpërndahet te konsumatorët, ndërsa vitin e kaluar kjo shumë kishte arritur mbi 8 milionë euro.

Edhe pse kanë shpenzuar energji elektrike, një pjesë e konsumatorëve ndër vite nuk e kanë paguar atë. Megjithatë, ky borxh i është faturuar qytetarëve tjerë. Vetëm sivjet, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka propozuar që në emër të borxhit të keq, 7.32 milionë euro t’u tarifohen qytetarëve tjerë.

Vitin e kaluar vlera e borxhit të keq ishte mbi 8 milionë. Nga KESCO i kanë thënë RTK-së se ZRRE e përcakton nivelin e borxhit të keq, ndërkaq ata vetëm respektojnë dispozitat rregullative.

“Trajtimi i borxhit të keq përcaktohet në Rregullën për Vendosjen e të Hyrave për Furnizuesin me Shërbim Universal, nr. 15/2017 e aprovuar nga Zyra Rregullatit për Energji (ZRrE). Në përputhje me këtë rregull, ZRRE e përcakton nivelin e borxhit të keq. Ne si kompani e rregulluar respektojmë me përpikëri këto dispozita rregullative, duke i zbatuar ato brenda metodologjisë së miratuar dhe vendimit rregullativ sikurse kur aplikojmë per tarifa, ashtu edhe gjate raportimeve”.

E nga ZRRE deklarojnë se KESCO ka propozuar nivel më të lartë të borxhit të keq, por që ata e kanë ulur atë.

“Sa i përket verifikimit, ZRRE ka analizuar të dhënat historike të arkëtimit, strukturën e borxheve dhe masat e ndërmarra nga furnizuesi për mbledhjen e tyre. Në këtë proces janë marrë parasysh vetëm ato borxhe që konsiderohen realisht të paarkëtueshme, duke përjashtuar çdo element që mund të lidhet me mungesë efikasiteti në arkëtim. Gjithashtu, është bërë krahasim me nivelet e mëparshme dhe me praktikat rregullatore për të siguruar që niveli i njohur të jetë i arsyeshëm”.

Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë tha se qytetarët e Kosovës, ata që kanë qenë të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm ndaj obligimeve të të shpenzimeve të tyre të energjisë që kanë qenë pagues të rregullt, do të thotë kanë paguar koston e një pjese që kanë qenë të papërgjegjshëm.

“Mendoj që kjo duhet që ZRRE-ja të ulet dhe ta gjejë një modalitet se si  ato humbje që janë në rrjet, do të thotë qoftë vjedhje, qoftë humbje të tjera të gjejnë një mekanizëm se si do të kompensohen”, theksoi ai.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm i vitit 2019, ‘Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit’, citon se ZRRE nuk ka një rregullore për klasifikimin e llogarive të arkëtueshme dhe me fokus të veçantë për identifikimin e borxheve të këqija. Vendosja e borxhit të keq në nivel prej 4% sipas ZKA-së  ishte bërë pa një analizë të detajuar për të dëshmuar se ky nivel i aplikuar në tarifa është i argumentuar.

Nga ZRRE kanë thënë se kanë marrë në konsideratë gjetjet e auditorit dhe kanë aplikuar kritere më strikte për njohjen e borxhit të keq.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram