Friday, May 1, 2026
HomeLajmeKosovëSpahoviq: Serbia ka kryer krime lufte, ndërsa autorët glorifikohen

Spahoviq: Serbia ka kryer krime lufte, ndërsa autorët glorifikohen

Një raport i Fondit për të Drejtën Humanitare evidenton vonesa, numër të ulët aktakuzash dhe mungesë rezultatesh konkrete në gjykimet për krime lufte të kryera në Kosovë gjatë vitit 1999. Avokati Sead Spahoviq, thotë se Serbia ka kryer krime lufte ndërsa autorët glorifikohen dhe priten si heronj.

Drejtësia për krimet e luftës në Serbi vazhdon të përballet me vonesa dhe mungesë rezultatesh konkrete gjatë vitit 2025, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare. Raporti vlerëson se numri i aktakuzave mbetet i kufizuar, ndërsa shtyrjet e shpeshta vazhdojnë të karakterizojnë proceset gjyqësore. Procedurat zhvillohen kryesisht ndaj personave të paarritshëm për drejtësinë, ndërkohë që mungojnë rastet që trajtojnë përgjegjësinë e niveleve më të larta komanduese. Ngadalësia e proceseve dhe mungesa e rezultateve reflektohen edhe në rastet që lidhen me krimet e luftës në Kosovë, ku përparimi mbetet i kufizuar.

Jovana Kollariq, studiuese në Fondin për të Drejtën Humanitare, thekson “për rastin e Çyshkës nuk kemi ende një vendim përfundimtar, edhe pas gati 16 vitesh”.

“Në të njëjtën kohë, po shohim gjithnjë e më shumë ngritje aktakuzash ndaj shqiptarëve për krime ndaj serbëve, por ndaj personave që nuk janë të arritshëm për drejtësinë. Po ngrihen aktakuza ndaj individëve për të cilët është pothuajse e sigurt se nuk do të arrestohen”, thotë Kollariq.

Sipas saj, gjatë vitit 2025 në Kosovë janë ngritur aktakuza ndaj 50 serbëve për krime ndaj shqiptarëve, trupat e të cilëve janë gjetur në Batajnicë, duke nënvizuar hendekun në ndjekjen penale mes Beogradit dhe Prishtinës. Raporti evidenton edhe kontekstin shoqëror në të cilin zhvillohen këto procese. Sipas avokatit Sead Spahoviq gjykimet zhvillohen në një atmosferë mohimi dhe relativizimi, ku politika dhe mediat minojnë faktet gjyqësore dhe margjinalizojnë viktimat.

Ai deklaron se “Serbia ka kryer krime të caktuara dhe nuk mund të pritet nga i njëjti sistem që tani të përfshihet seriozisht në ndjekjen e tyre. Këto krime fshihen, ndërsa autorët glorifikohen dhe priten si heronj. Si pushteti, ashtu edhe opozita dhe madje edhe studentët, e shmangin këtë temë. Shoqëria mbetet e bllokuar kur bëhet fjalë për përballjen me krimet e luftës “nga Srebrenica te Kosova”.

Fondi për të Drejtën Humanitare thekson gjithashtu mungesën e transparencës dhe kapacitetet e kufizuara institucionale, faktorë që zgjasin proceset dhe ulin besimin e viktimave në drejtësi. Në këtë kontekst, drejtësia për krimet e luftës në Serbi mbetet e ngadaltë dhe selektive, pa përparim të dukshëm në nivel sistemor.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram