Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka porpozuar që në zgjedhjet e 7 qershorit lista e LDK-së të udhëhiqet nga Vjosa Osmani si kandidate për presidente, ndërsa ai vetë të jetë kandidat për kryeministër me numrin 2.
“Në takimin e përbashkët të Kryesisë qendrore dhe kryetarëve të degëve të LDK, kam shtruar para tyre propozimin tim për një listë bashkuese. Një listë që nuk ndërtohet mbi rehati politike, por mbi përgjegjësi shtetërore. Në këtë listë kam propozuar garim të përbashkët për President të Republikës dhe Kryeministër të Republikës. Kam propozuar që LDK të garojë me presidenten Vjosa Osmani si kandidate për presidente të Republikës dhe njëkohësisht bartëse të listës dhe me mua si kandidat të LDK për kryeministër të Republikës. Këtë propozim po e shtroj edhe para jush për miratim përfundimtar”, tha Abdixhiku në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku theksoi nevojën për bashkim dhe tejkalim të ndasive brenda partisë.

