Marrëveshja për investime në efiçiencë të energjisë pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në qindra institucione publike në vend. Investimet përfshijnë 400 projekte në total, ku nuk mungojnë shkollat, spitalet, ndërtesat administrative, sallat e sportit dhe qendrat e kulturës, që kanë nevojë për investime në efiçiencë.
Shkollat me klasa të ftohta gjatë dimrit e të ngrohta gjatë verës, izolim i dobët dhe fatura të larta të energjisë elektrike. Këto janë probleme të përditshme në disa prej institucioneve arsimore publike në Kosovë. Megjithatë, një marrëveshje e lidhur me BERZH-in parasheh investime në efiçiencë të energjisë elektrike në këto institucione. Por sa është e rëndësishme kjo marrëveshje dhe cilat ndryshime mund të priten?
Izolim i mureve, ndërrim i dritareve, izolim i çative, sisteme moderne të ngrohjes dhe ndriçim LED. Mbi të gjitha, më shumë rehati për nxënësit, mësimdhënësit, pacientët dhe stafin e institucioneve.
Të gjitha këto do të realizohen me implementimin e marrëveshjes për efiçiencë të energjisë elektrike.
“Është konstatuar se është e nevojshme, sidomos kati i 3 që nuk ka izolim fare. Temperaturat në verë janë të larta pavarësisht se klasat janë të pajisura me kondicioner. Njëjtë është edhe në periudhën e dimrit, me vështirësi ngrohim objektin. Jemi në pritje, kanë filluar me dy shkolla dhe besoj që edhe ne do t’i nënshtrohemi këtij projekti sepse na është premtuar”, tha mësimdhënësi Visar Osmani.
Por kush tjetër do të përfitojë nga këto investime?
“Investimet përfshijnë 400 projekte në total, duke përfshirë shkolla, spitale, ndërtesa administrative, salla sporti, qendra të kulturës të cilat kanë nevojë më shumë për investime në efiçiencë”, ka deklaruar Artane Rizvanolli, ministre në detyrë e Ekonomisë.
Përmes këtij projekti do të përmirësohen kushtet në institucionet publike. Kjo mund të ndikojë edhe në cilësinë e shërbimeve, ndriçimi do të jetë ekonomik, mjedisi më i pastër dhe ndërtesat më të qëndrueshme.
Investimet që do të bëhen do të ulin edhe shpenzimet e energjisë elektrike.
Për realizimin e këtij projekti, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë kredi për Kosovën deri në 50 milionë euro. 12.6 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 7 milionë euro janë grant nga Bashkimi Evropian dhe 3 milionë nga Fondi danez për Kosovën.

