Wednesday, May 13, 2026
HomeKulturëBotohet romani i autores Hyrë Tejeci “Zëri që kurrë nuk u shua”...

Botohet romani i autores Hyrë Tejeci “Zëri që kurrë nuk u shua”  

Romani “Zëri që kurrë nuk u shua” i autores Hyrë Tejeci Murati, i botuar në Prishtinë nga shtypshkronja “PrintingPress”, i kushtohet figurës së Prof. Fetah Bahtirit, një personalitet me kontribute të rëndësishme në arsim, kulturë dhe organizimin e shqiptarëve, veçanërisht në mërgatë.

Vepra paraqet një qasje të veçantë letrare që ndërthur elemente të monografisë me rrëfimin artistik, duke krijuar një portret të gjallë dhe të ndjeshëm të protagonistit.

Për këtë roman e ka shkuar një recension, Hysen Ibrahimi. Sipas këtij të fundit, autorja e ndërton rrëfimin duke u mbështetur si në përjetime personale, ashtu edhe në fakte historike e dokumentare. Takimi i saj i parë me Prof. Bahtirin në Suedi në vitin 2016 shërben si pikënisje e narrativës, duke e bërë tekstin më autentik dhe emocional. Përmes këtij momenti, lexuesi futet gradualisht në botën e një figure që e ka kushtuar jetën çështjes kombëtare, arsimit dhe ruajtjes së identitetit shqiptar.

Në roman, sipas Ibrahimit, theksohet se Prof. Bahtiri është një njeri i veprimit të heshtur, por me ndikim të madh shoqëror. Ai paraqitet si mësues, intelektual, përkthyes dhe aktivist, i cili edhe në kushte të vështira politike nuk e ka ndërprerë misionin e tij arsimor e kombëtar. Veprimtaria e tij në Mitrovicë dhe më pas në Suedi pas emigrimit për shkak të represionit, tregon për një jetë të ndarë mes vendlindjes dhe mërgimit, por gjithmonë të lidhur shpirtërisht me Kosovën.

Një pjesë e rëndësishme e veprës, siç specifikohet be recension, është edhe përshkrimi i rrënjëve familjare dhe vendlindjes së tij në Lisicë, duke theksuar ndikimin e familjes në formimin e karakterit të tij. Autorja e paraqet babain dhe traditën familjare si faktorë kyç në ndërtimin e identitetit të protagonistit.

Gjithashtu, libri trajton edhe përkushtimin e tij në arsim, përballjen me padrejtësitë politike, si dhe kontributin në fushën e përkthimit juridik, duke e shndërruar dijen në shërbim të komunitetit. Këto elemente e bëjnë figurën e tij një model të intelektualit të angazhuar dhe humanist.

Nga ana letrare, vepra karakterizohet nga një stil i ndërthurur mes analizës dhe rrëfimit artistik, duke i dhënë lexuesit jo vetëm informacion, por edhe përjetim emocional. Autorja synon të paraqesë Prof. Bahtirin si një figurë që tejkalon biografinë personale dhe shndërrohet në simbol të qëndrueshmërisë, dijes dhe përkushtimit kombëtar.

Në përfundim, romani i Hyrë Tejecit vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm në letërsinë shqiptare, pasi jo vetëm dokumenton jetën e një figure të shquar, por edhe e paraqet atë si një udhërrëfyes për brezat e rinj, duke theksuar vlerat e arsimit, atdhedashurisë dhe integritetit moral, shkruan Ibrahimi n’ recensionin e tij mbi librin.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram