Policia e Kosovës ka raportuar një rast të dyshuar të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në fshatin Shahiq, komuna e Kamenicës.
Sipas njoftimit policor, gjatë patrullimit zyrtarët policorë kanë ndaluar një kamion të drejtuar nga një mashkull kosovar, i cili ishte i ngarkuar me dru, dhe dyshohet se drutë po transportoheshin nga territori i Serbisë në drejtim të Republikës së Kosovës.
Gjatë verifikimit të dokumentacionit përcjellës, policia ka dyshuar se një zyrtar i Agjencisë së Pyjeve ka kryer në mënyrë të kundërligjshme damkosjen e druve dhe ka lëshuar fletë përcjellëse.
Me vendim të prokurorit kompetent, drutë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.

