Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me plagosjen e një personi me inicialet A.V., i cili mbeti i plagosur nga arma e zjarrit në një incident të ndodhur mbrëmjen e 14 majit në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 21:40, ndërsa i plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Prokuroria ka paralajmëruar se opinionin publik do ta informojnë për zhvillimet e mëtejme lidhur me këtë rast.

