NGA FATMIR POPJA
DIVJAKË,16 maj 2026/Albania Express News/Në botën e artit ndodh rrallë që një talent të spikasë që në fëmijëri me aq forcë sa të rrëmbejë zemrat e publikut që në daljet e para në skenë. Një nga këto emra premtues është pa dyshim vogëlushja Marlin Janko, një artiste e vërtetë vetëm 8 vjeçe, e lindur në Tiranë dhe që jeton në Divjakë, e cila po kthehet dita-ditës në një nga talentet më të spikatura të muzikës për fëmijë në Shqipëri.
Edhe pse në një moshë shumë të vogël, Marlin Janko ka arritur të tërheqë vëmendjen e publikut, artistëve dhe profesionistëve të muzikës me zërin e saj të veçantë, interpretimin plot emocion dhe pasionin e jashtëzakonshëm për këngën. Prej dy vitesh ajo është e angazhuar seriozisht në muzikë dhe tashmë numëron një sërë suksesesh të rëndësishme në festivale dhe konkurse kombëtare për fëmijë.
Marlin është fëmija i dytë në familjen Janko. Ajo ka një motër më të madhe dhe një motër më të vogël, ndërsa prindërit e saj ka qenë mbështetja më e madhe në rrugëtimin artistik të vogëlushes. Prindërit e 8 vjeçares tregojnë se talentin e Marlin e zbuluan krejt rastësisht, teksa e dëgjonin të këndonte vazhdimisht në shtëpi që në moshë shumë të vogël.
“E dëgjonim shpesh të këndonte pa pushim dhe kuptuam se kishte aftësi të veçanta në fushën e muzikës tregon Erditi ,babai i saj . Nuk mund ta ndalte askush kur fillonte të këndonte”, tregojnë prindërit e saj me emocion.
Foto /Marlin Janko dhe kryetari i bashkisë Divjakë ,Josif Gorrea
Duke parë dhuntinë e saj natyrale dhe pasionin e jashtëzakonshëm për muzikën, prindërit vendosën që në moshën 6-vjeçare ta mbështesnin seriozisht talentin e vajzës së tyre. Pas konsultimeve me emra të njohur të muzikës shqiptare, Marlin filloi të aktivizohej në evente dhe festivale muzikore për fëmijë, ndërsa paralelisht nisi edhe kurset private në fushën e kantos dhe pianos.
Rezultatet nuk vonuan të vinin. Gjatë dy viteve të fundit, vogëlushja Marlin Janko ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike ku është vlerësuar me çmime prestigjioze. Në konkursin “Tirana Talent” ajo është shpallur disa herë fituese e çmimit të parë, ndërsa në festivalin “Twinkell Twinkell Festival 2025” fitoi trofeun “Best Arrangement”.
Foto/Marlin Janko me moderatoren dhe prezantuesen e famshme të spektakleve televizive Silvana Braçe
Një tjetër sukses i rëndësishëm për të ishte festivali “Pranvera Europiane 2026”, i zhvilluar në Durrës, ku Marlin u vlerësua me çmimin e parë në kategorinë e këngëve në gjuhën angleze. Ndërkohë, në festivalin “Mikrofoni i Artë – Festivali Vaçe Zela”, ajo u shpërblye me çmimin “Zëri më i mirë i festivalit”, një vlerësim që konfirmon potencialin e jashtëzakonshëm vokal të artistes së vogël.
Rrugëtimi i saj artistik nuk ndalet këtu. Këtë vit Marlin Janko do të marrë pjesë edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër, ku do të interpretojë një këngë të kompozuar nga kompozitori i njohur Saimir Çili. Ky festival konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në karrierën e saj artistike.

Përveç muzikës, Marlin është një nxënëse e shkëlqyer në klasën e dytë në një shkollë private në Durrës. Çdo ditë ajo përshkon itinerarin Divjakë – Durrës për të ndjekur shkollën dhe aktivitetet artistike, një sakrificë që tregon seriozitetin dhe përkushtimin e saj ndaj ëndrrës për muzikën.
Në Durrës, ajo ndjek edhe kurse private të kantos me profesoreshën Kiara Juba, e cila po punon intensivisht për zhvillimin profesional të zërit të saj. Gjithashtu, prej disa muajsh Marlin ka nisur edhe mësimet e pianos, duke zgjeruar më tej formimin e saj artistik.
Ëndrra e saj më e madhe është të bëhet një këngëtare e famshme, pasi muzika për të nuk është thjesht një hobi, por një pasion i lindur. Ajo flet gjithmonë me shumë dashuri dhe admirim për këngëtaren Aurela Gaçe, si dhe për ikonën e muzikës shqiptare Vaçe Zela, të cilat i konsideron frymëzim në rrugën e saj artistike.
Marlin ka realizuar gjithashtu disa “cover”-a muzikorë të publikuar në YouTube, mes të cilëve spikasin interpretimet e këngëve:
- “Valsi i Lumturisë” nga Vaçe Zela
- “Fati Ynë, Shpresë e Marrëzi” nga Aurela Gaçe
- “Për Ty Atdhe” nga Vaçe Zela
- “Never Enough” nga Loren Allred

Pavarësisht moshës së vogël, Marlin zotëron edhe shumë këngë të tjera në repertorin e saj dhe interpreton me një siguri skenike që habit publikun.
Këtë fundjavë , ajo mori pjesë në një event të rëndësishëm të organizuar në Divjakë, ku ishin të pranishëm personalitete të medias, artit , kukturës dhe jetës publike shqiptare. Dy këngët e interpretuara prej saj në skenë u pritën me duartrokitje të zjarrta dhe emocione të forta nga publiku. Mes të pranishmëve ishte edhe kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, i cili është shprehur me konsideratë të lartë për talentin e vogëlushes Markin Janko .
Shumë prej atyre që e kanë ndjekur nga afër besojnë se 8 vjeçarja Markin Janko është një emër që premton shumë për të ardhmen e muzikës shqiptare. Me talentin natyral, disiplinën, përkushtimin ,punën e vazhdueshme dhe mbështetjen e familjes, ajo po ndërton hap pas hapi rrugën drejt një karriere të suksesshme artistike.
Në një kohë kur talentet e vërteta dallohen gjithnjë e më rrallë, Marlin Janko po dëshmon se arti nuk njeh moshë dhe se ëndrrat e mëdha mund të nisin edhe nga një zë i vogël që këndon me zemër.





Albanianpress.al

