Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u tha sot gazetarëve se vendosja e forcave amerikane në Poloni është vonuar, duke shtuar se nuk është e saktë të thuhet se trupat po tërhiqen nga territori evropian.
Vance tha në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se Shtetet e Bashkuara duan ta inkurajojnë Evropën të “marrë më shumë përgjegjësi” për mbrojtjen e përbashkët.
“Nuk po flasim për tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Evropa. Po flasim për ridrejtimin e disa burimeve në mënyrë që siguria e SHBA-së të maksimizohet. Nuk mendoj se kjo është keq për Evropën”, tha ai.”Ne nuk e zvogëluam numrin e ushtarëve, ne e shtymë vendosjen e tyre”
Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë dhe prej kohësh pritet ta zvogëlojnë atë, duke pasur parasysh kërkesat e Presidentit Donald Trump që NATO të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e Evropës. Pentagoni ende nuk ka dhënë detaje se si e parashikon vendosjen e ardhshme të trupave të saj në kontinentin evropian.
“Ne nuk e zvogëluam numrin e trupave me 4,000 në Poloni. Ne e vonuam vendosjen e tyre, e cila nuk është një zvogëlim i trupave, por një vonesë në rotacionin që ndodh ndonjëherë”, shtoi Vance.
Raportet për ndryshimin në vendosjen e trupave në Poloni tërhoqën kritika të ashpra nga ligjvënësit amerikanë të cilët janë të shqetësuar për mundësinë që Trump të braktisë aleatët e tij.

