Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një pune hetimore disa mujore, më 20.05.2026, në kuadër të operacionit “Pronat në Prizren”, ka realizuar urdhër për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës, urdhër i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda.
Gjatë kontrolleve, janë shoqëruar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim kanë falsifikuar dokument-letërnjoftimin e Serbisë të një personi të ndjerë dhe duke e prezantuar një person tjetër në mënyrë fiktive kanë kryer marrëveshje ndërmjetësimi, përmes së cilës dyshohet se kanë tjetërsuar 18 parcela pronash në një fshat të Prizrenit, me sipërfaqe rreth 3.60 hektarë dhe vlerë rreth 1 milion euro.
Policia njofton se gjatë kontrollit janë sekuestruar një laptop, dy telefona, 14,600 euro dhe dokumentacion tjetër që mund të shërbejë si provë.
Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Bashkëkryerje” sipas KPRK-së.
Njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit, një është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa personi tjetër ndodhet në kërkim policor.

