Thursday, May 21, 2026
HomeLajmeKosovëVepra e inxhinierit Mentor Llunji promovohet për herë të parë në Kosovë

Vepra e inxhinierit Mentor Llunji promovohet për herë të parë në Kosovë

Inxhinieri Mentor Llunji ka ardhur për herë të parë para publikut në Prishtinë, duke promovuar veprën “Reflections on Seismic Design” në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Vepra shpalos përmbledhje mendimesh personale dhe profesionale mbi të tashmen dhe të ardhmen e projektimit sizmik, duke trajtuar pyetjet dhe çështjet me të cilat autori është përballur gjatë më shumë se dy dekadave të projektimit të strukturave në zona sizmike.

Fitues i çmimit vjetor të Odës së Inxhinierëve të Malit të Zi, Mentor Llunji, inxhinier me mbi 20 vjet përvojë profesionale, është autor i 6 librave profesionalë dhe veprat e tij janë bërë pjesë e kurrikulave në universitete evropiane.

“Librin ia kam dedikuar viktimave të tërmeteve të Turqisë të vitit 2023, ngjarjes e cila më provokoi t’i kthehem sërish shkrimit mbi projektimin sizmik”, është shprehur inxhinieri Mentor Llunji.

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, është shprehur se “Vepra e autorit Mentor Llunji pasqyron një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe një kontribut të vyer në fushën e inxhinierisë dhe ndërtimtarisë bashkëkohore”. Ajo gjithashtu theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi paraqet një miqësi dhe bashkëpunim që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke shtuar se ky bashkëpunim duhet të zhvillohet edhe ndërmjet dy akademive, asaj të Kosovës dhe Malit të Zi, në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ka thënë se “Ky botim paraqet një reflektim mbi përgjegjësinë, dijen dhe dimensionet njerëzore të inxhinierisë, në një kohë kur qëndrueshmëria e infrastrukturës dhe siguria nga tërmetet janë me rëndësi të madhe për shoqërinë tonë”.

Libri pasqyron këndvështrimet mbi filozofinë bashkëkohore të projektimit sizmik, të metat dhe përparësitë e saj, duke ofruar një vështrim kritik mbi kodet e ndërtimit dhe duke nënvizuar rëndësinë e përgatitjes më përmbajtësore të inxhinierëve që pretendojnë të projektojnë në zona sizmike.

Profesori Visar Krelani e ka cilësuar Mentor Llunjin si një inxhinier model, aplikues i inxhinierisë, por edhe shkrues i shkencës, duke theksuar se ajo që e veçon veprën e tij është se merret me intuitën sizmike, gjë që është shumë e rëndësishme për këtë fushë.

Inxhinieri Mentor Llunji bën thirrje për një rikthim te bazat e profesionit, te mendimi i pavarur dhe kritik, me qëllim mbështetjen e inxhinierëve në formimin e qasjes së tyre personale ndaj projektimit të strukturave rezistente ndaj tërmeteve. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram