Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 maj 2026 janë konfirmuar 17 raste me fruth në Kosovë.
IKShPK ka bërë të ditur, se sipas të dhënave të publikuara, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me gjashtë raste, pasuar nga Prishtinë me katër raste dhe Kaçanik me tre raste. Nga një rast është raportuar në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Shtime.
IKShPK thekson se të gjitha rastet e konfirmuara kanë qenë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR kundër fruthit, shytave dhe rubellës, ndërsa të gjithë pacientët kanë marrë trajtim spitalor.
Instituti paralajmëron se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata sa më parë në qendrat e mjekësisë familjare.
“Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore”, thuhet në njoftim.

