Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim zyrtar ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në njoftim thuhet se gjeneral Jashari i ka uruar mirëseardhje u.d. Presidentes Haxhiu, të cilën e ka informuar lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon FSK-ja, arritjet e deritanishme si dhe drejtimet e zhvillimit të saj në të ardhmen.
Sipas njoftimit, gjatë diskutimeve u trajtuan planifikimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë fazën aktuale të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit si dhe sfidat me të cilat përballet Forca në këtë periudhë.
Po ashtu, u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacione ndërkombëtare jashtë vendit, si një element që forcon rolin e Republikës së Kosovës si kontribuuese në sigurinë globale.
Nga ana e saj, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e ka përgëzuar Gjeneral Jasharin për të arriturat e FSK-së dhe për angazhimin e saj në fusha dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Në përfundim të takimit, të dy palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së drejt një force moderne e profesionale, me synim të qartë integrimin në NATO.

