Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar themelimin e një grupi punues që do të merret me hartimin e modaliteteve për programin e pensionimit të parakohshëm në Policia e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla bëri të ditur se grupi punues tashmë ka mbajtur takimin e parë dhe deri në fund të muajit korrik pritet të dalë me propozime konkrete, duke analizuar aspektet ligjore, financiare dhe organizative të këtij procesi.
“Grupi punues i cili sot mbajti takimin e parë, do të organizojë konsultime, takime pune dhe sesione dëgjimore me strukturat organizative të Policisë së Kosovës në nivel qendror dhe lokal, me qëllim të identifikimit të sfidave operative dhe nevojave reale që ndërlidhen me pensionimin e parakohshëm”, ka shkruar Sveçla .
Në kuadër të analizës, do të shqyrtohet mundësia që programi të zbatohet gradualisht, duke filluar nga mosha 63-vjeçare dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, varësisht nga kapacitetet financiare dhe nevojat institucionale.
Sipas tij, ky proces synon menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore, rritje të efikasitetit operacional dhe forcim të sigurisë publike në vend.
“Përmes këtij programi, do të ndërtojmë një polici më funksionale, më të balancuar në strukturë dhe më të gatshme për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të sigurisë, duke respektuar njëkohësisht kontributin dhe dinjitetin e secilit zyrtar policor”, ka shkruar ai.

