Komisioni Evropian ka bërë pagesën e re për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi nga mjetet financiare te të Planit të Rritjes.Bëhet fjalë për pagesën e tretë për këto tri shtete, në vlerë të përgjithshme prej 158.9 milionë eurosh.
Sipas komunikatës së Komisionit Evropian, pagesa është bërë pasi këto shtete kanë paraqitur kërkesat përkatëse dhe Komisioni ka bërë vlerësim pozitiv për reformat e zbatuara.
Pagesat nga Plani i Rritjes bëhen dy herë në vit, në varësi të përmbushjes së reformave. Po ashtu, shtetet përfituese paraqesin kërkesa për marrjen e mjeteve financiare.
Në këtë kuadër, Kosova është e kualifikuar të paraqesë kërkesën e saj të parë për pagesë deri më 15 korrik 2026. Deri më tani, vendi ka marrë vetëm mjetet e parafinancimit në vlerë prej mbi 61 milionë eurosh.
Për Kosovën janë alokuar mbi 882 milionë euro, duke e bërë vendin përfituesin më të madh të mjeteve për kokë banori.
Megjithatë, vonesat në pagesa fillimisht kanë qenë pasojë e ngërçit politik të vitit të kaluar, ndërsa pagesat e radhës do të varen nga zbatimi i reformave.
Nëse reformat nuk zbatohen brenda afateve të përcaktuara, shtetet humbin në mënyrë të pakthyeshme mjetet e alokuara.

