Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj pretendimeve të Odës së Avokatëve të Kosovës për vonesa në trajtimin e çështjeve të paraburgimit.
Në reagim, Gjykata Supreme shpreh keqardhje për mënyrën e deklarimeve të Odës së Avokatëve dhe thekson se pas verifikimeve, pretendimet për vonesa sistematike rezultojnë të pavërteta.
Sipas Gjykatës Supreme, çështjet e paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë, brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor.
Gjykata shton se mbetet e përkushtuar për respektimin e afateve ligjore dhe trajtimin efikas të mjeteve juridike në këto raste, duke theksuar rëndësinë e tyre për të drejtat themelore të qytetarëve.
Po ashtu, nëse Oda e Avokatëve i referohet rasteve konkrete me vonesa të pretenduara, Gjykata fton që ato të adresohen tek Kryetari i Gjykatës.
Gjykata Supreme shprehet e hapur për bashkëpunim me akterët e sistemit të drejtësisë në funksion të sundimit të ligjit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore.
Ndryshe, sot Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim për vonesat në trajtimin e ankesave ndaj vendimeve për paraburgim, duke theksuar se në praktikë shpesh nuk respektohen afatet ligjore dhe se dorëzimi i vendimeve vonohet për javë të tëra.

