Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar dëshmorin Idriz Bajram Gucati në përvjetorin e rënies së tij heroike, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti rikujtoi ngjarjen e 2 gushtit 1998, kur sipas dëshmive të familjarëve dhe miqve, Idriz Gucati ishte lajmëruar përmes radio-lidhjes se forcat serbe kishin rrethuar fshatin Jabllanicë, por kishte refuzuar të tërhiqej.
“Pa shkel në trup temin, nuk munden me shkel në fshat brenda”, citoi Kurti fjalët e dëshmorit të transmetuara nga dëshmitarët, teksa theksoi se ai mori një vendim heroik dhe patriotik, duke rënë në ballë të luftës së UÇK-së në mbrojtje të Kosovës.
Kryeministri në detyrë kujtoi po ashtu edhe masakrimin e Azë Zekë Brahimajt dhe nënës së saj 95-vjeçare nga forcat serbe në të njëjtën ditë, duke i cilësuar ato si krime makabre që nuk do të harrohen kurrë.
“Ne kemi gjithë respektin dhe mirënjohjen për dëshmorët e kombit të cilët ranë heroikisht në luftën çlirimtare, pa të cilën nuk kishte ndodhë çlirimi i Kosovës, pa të cilën nuk kishte ndodhë intervenimi i NATO-s dhe pa të cilën nuk do të ishim këtu që të takohemi, të flasim lirshëm e të mund të diskutojmë për përparimet e Kosovës”, theksoi Kurti gjatë vizitës në familjen e Idriz Gucatit në Prizren.

