Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në fshatin Zllapek të Pejës.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor për të kryer hetimet lidhur me rastin.
Policia e rajonit të Pejës, ka bërë me dije se deri te aksidenti ka ardhur derisa një automjet po qarkullonte në drejtim nga fshati Kosuriq në Pejë. Me të arritur në fshatin Zllapek, drejtuesi i automjetit dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe me pjesën ballore të veturës ka goditur këmbësorin, i cili ishte duke kaluar rrugën nga ana e djathtë në të majtë të drejtimit të lëvizjes së automjetit.
Si pasojë e lëndimeve të marra, këmbësori nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjeku kujdestar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Instituti i Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkaq, i dyshuari për shkaktimin e aksidentit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

