Selmon Berisha është zgjedhur kryetar i Ballit Kombëtar të Republikës së Kosovës, me mandat katërvjeçar, pas vendimit të marrë nga delegatët e Këshillit Kombëtar të kësaj organizate.
Zgjedhja e tij u bë në kuadër të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë dokumentesh programore dhe strategjike që do të përcaktojnë orientimin e organizatës për periudhën 2025-2030.
Sipas dokumenteve të miratuara, delegatët aprovuan Platformën Politike të Ballit Kombëtar të Kosovës, Programin për Riorganizimin Shtetformues dhe Bashkimin Kombëtar, si dhe strategji të tjera politike për periudhën e ardhshme.
Në vendimin e miratuar thuhet se dokumentet janë aprovuar nga delegatët e Këshillit Kombëtar, ndërsa Selmon Berisha është zgjedhur në krye të organizatës për një mandat katërvjeçar.
Dokumenti është nënshkruar nga përfaqësuesit e organit drejtues dhe procesmbajtësja e mbledhjes, ndërsa mban datën 30 maj 2026 në Prishtinë.
Ky vendim shënon një fazë të re organizative për Ballin Kombëtar të Kosovës, i cili ka përcaktuar objektivat dhe prioritetet e tij politike për vitet e ardhshme.

