Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, ka pritur sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Haxhiu, në fillim të takimit, i uroi Hoxhës detyrën e re dhe vlerësoi kontributin e tij të gjatë diplomatik në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare, duke thënë: “Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, njofton zyra për informim e Presidentes.
Në takim u diskutuan marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimi në politikën e jashtme dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve. Haxhiu theksoi rëndësinë e afërsisë historike, gjuhësore dhe kombëtare si bazë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe projekteve në interes të qytetarëve.
Bëhet e ditur se një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe afrimin më të madh me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.
Në fund, ajo theksoi nevojën për koordinim të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në funksion të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta.

