Sunday, May 31, 2026
HomeLajmeBotëKaos në Paris pas fitores së PSG-së: 416 të arrestuar

Kaos në Paris pas fitores së PSG-së: 416 të arrestuar

Festimet për fitoren e Paris Saint-Germain ndaj Arsenalit në finalen e Ligës së Kampionëve u shndërruan në trazira të dhunshme në rrugët e Parisit, duke detyruar policinë franceze të ndërhyjë në disa zona të kryeqytetit.

Sipas autoriteteve franceze, deri në orët e para të mëngjesit të së dielës janë arrestuar 416 persona të dyshuar për përfshirje në incidente, ndërsa 283 prej tyre janë ndaluar vetëm në rajonin e madh të Parisit.

Atmosfera festive pas suksesit të PSG-së u tensionua shpejt, teksa grupe tifozësh u përplasën me forcat e rendit. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat dhe për të rikthyer kontrollin në zonat më të prekura nga incidentet.

Nga përleshjet kanë mbetur të plagosur shtatë efektivë policie, ndërsa njëri prej tyre raportohet se ka pësuar lëndime të rënda. Situata më problematike u regjistrua në afërsi të stadiumit ‘Parku i Princave’ dhe në disa prej shesheve kryesore të qytetit.

Në zonën e Porte de Saint-Cloud, protestuesit i vunë flakën disa biçikletave dhe një automjeti, ndërsa në Place de la Republique forcat speciale CRS ndërhynë për të shpërndarë qindra tifozë që ishin grumbulluar në shesh. Pas ndërhyrjes së policisë, turmat u zhvendosën drejt Boulevard Voltaire dhe Place de la Nation.

Për shkak të situatës së krijuar, autoritetet e transportit publik në rajonin e Parisit vendosën të pezullojnë përkohësisht qarkullimin e autobusëve, ndërsa disa linja tramvaji u ndërprenë si masë sigurie.

Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për incidentet, ndërsa bilanci i arrestimeve pritet të ndryshojë me vazhdimin e procedurave policore.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram