Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) është realizuar me sukses një intervenim kirurgjikal në vesh, i cili i ka mundësuar rikthimin e dëgjimit një pacienteje që për 18 vjet ishte përballur me humbje të rëndë të dëgjimit.
Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientja kishte kërkuar trajtim në institucione të ndryshme shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, por pa arritur rezultatet e dëshiruara.
Pas vlerësimeve të hollësishme klinike, ekzaminimeve diagnostike dhe analizës multidisiplinare të rastit, ekipi i Klinikës së ORL-së vendosi për realizimin e ndërhyrjes kirurgjikale.
Ndërhyrja u krye me sukses, ndërsa pacientja qëndroi disa ditë në klinikë për trajtim dhe monitorim pas operacionit. Më pas, ajo u lirua në gjendje të mirë shëndetësore.
QKUK bëri të ditur se testet e dëgjimit të kryera pas operacionit kanë treguar përmirësim të dukshëm të dëgjimit dhe të aftësisë së komunikimit, duke shënuar një rezultat të rëndësishëm për cilësinë e jetës së pacientes.
Ky rast konsiderohet një sukses i radhës i stafit të Klinikës së Otorinolaringologjisë dhe dëshmi e kapaciteteve profesionale që ofrohen në kuadër të QKUK-së.

