Ka nisur numërimi i votave të diasporës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, i cili deri më tani, ka sjellë ndryshime në projektimin e mandateve, ku Lëvizja Vetëvendosje ka fituar një ulëse shtesë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka humbur një mandat sipas përditësimeve të KQZ-së.
Sipas rezultateve nga dy kutitë e para të numëruara, një nga Ambasada e Kosovës në Berlin dhe tjetra nga Konsullata në Shtutgart, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 1,024 vota, apo 84 për qind të votave të numëruara deri tani. Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 92 vota (7.55 për qind), Lidhja Demokratike e Kosovës 66 vota (5.41 për qind), ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 23 vota (1.89 për qind).
Njëkohësisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar projektimin e ndarjes së mandateve. Pas numërimit të rreth katër për qind të votave nga përfaqësitë diplomatike, LVV-së i është shtuar një mandat, ndërsa LDK-së i është zbritur një mandat.
Sipas projektimit aktual të publikuar nga KQZ-ja, Vetëvendosje do të ketë 49 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 19, AAK-ja 8 deputetë, ndërsa pakicat serbe 10 deputetë.
Votimi në përfaqësi diplomatike është zhvilluar më 6 qershor në 30 misione diplomatike. Sipas të dhënav e nga KQZ, nga 27 mijë e 724 shtetas të regjistruar, kanë votuar 22 mijë e 360 prej tyre apo 82.46%.
Në këtë link mund t’i gjeni rezultatet e fundit nga numërimi: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/total-results

