Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka pritur në një vizitë zyrtare pune Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë, Ilir Binaj, i cili u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së, Mentor Hyseni, dhe stafin drejtues të institucionit.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy administratave tatimore, me fokus në shkëmbimin e përvojave profesionale, praktikave më të mira dhe avancimin e proceseve të administrimit tatimor në të dy vendet.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e institucioneve trajtuan një sërë temash me rëndësi strategjike, përfshirë strategjitë për mbledhjen e të ardhurave, komunikimin me tatimpaguesit, procedurat e mbledhjes së detyrueshme, menaxhimin e borxheve tatimore, si dhe mekanizmat që kontribuojnë në rritjen e përmbushjes vullnetare të obligimeve tatimore dhe përmirësimin e efikasitetit administrativ.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, vlerësoi nivelin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe theksoi se shkëmbimi i njohurive dhe përvojave profesionale mbetet një faktor kyç për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet administratave tatimore të Kosovës dhe Shqipërisë është një element i rëndësishëm për modernizimin e proceseve të punës, rritjen e efikasitetit operacional dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për tatimpaguesit”, deklaroi Hyseni.
Nga ana tjetër, Ilir Binaj shprehu gatishmërinë e administratës tatimore shqiptare për të vazhduar dhe zgjeruar bashkëpunimin me ATK-në, duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimit të praktikave të suksesshme dhe koordinimit në fusha me interes të përbashkët.
Në përfundim të takimit, të dy institucionet riafirmuan angazhimin për forcimin e partneritetit profesional, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të përvojave, me synim rritjen e performancës institucionale, përmirësimin e përputhshmërisë tatimore dhe avancimin e reformave në administrimin tatimor.
Ky bashkëpunim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të administratave tatimore në rajon dhe forcimit të kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve më efikase dhe transparente për qytetarët dhe bizneset.

