Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin mbi monitorimin e gjykimeve të rasteve të krimeve të luftës në Kosovë, i cili, sipas shefit të misionit, ambasadorit Gerard McGurk, paraqet analizën më gjithëpërfshirëse të këtyre proceseve që nga themelimi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjetjet kryesore nxjerrin në pah vonesat e shpeshta në procedura, problemet me cilësinë dhe individualizimin e disa aktakuzave, vështirësitë në administrimin dhe përkthimin e provave, mungesën e dëshmitarëve, si dhe sfidat që lidhen me zhvillimin e gjykimeve në mungesë.
Ambasadori Gerard McGurk tha se raporti pasqyron shtatë vjet monitorim sistematik të gjykimeve dhe përfshin gjetjet nga 48 raste të krimeve të luftës, me 138 persona të akuzuar dhe 394 seanca gjyqësore.
“Ky raport e reflekton shtatë vite të monitorimit sistematik të gjykimeve të krimeve të luftës në Kosovë. Paraqet gjetje nga 48 raste të krimeve të luftës të gjykuara para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha ai.
Sipas tij, periudha që mbulon raporti është me rëndësi të veçantë, pasi përfshin kalimin e trajtimit të rasteve nga mekanizmat ndërkombëtarë te institucionet vendore.
Ai bëri të ditur se 17 raste kanë marrë formë të prerë, ndërsa theksoi se rekomandimet e raportit synojnë të mbështesin përpjekjet për forcimin e administrimit të drejtësisë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
McGurk tha se raporti nënvizon rëndësinë e një gjykimi të drejtë dhe të pavarur, duke respektuar të drejtat e të akuzuarve, viktimave dhe dëshmitarëve.
“Respekti për garancat, të drejtat e të akuzuarit, të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve dhe pavarësia gjyqësore janë shumë të rëndësishme për besueshmërinë e çdo procesi të drejtësisë”, deklaroi ai.
Ambasadori theksoi se raporti evidenton edhe sfida të shumta praktike në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
Sipas tij, vonesat, cilësia dhe individualizimi i disa aktakuzave, problemet me provat, përkthimet dhe procedurat në mungesë kanë ndikuar në zhvillimin e proceseve gjyqësore.
“Monitorimi i këtyre të dhënave ka treguar që një në pesë seanca janë shtyrë për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve. Gati çereku i rasteve që kanë arritur në gjykim janë prekur nga ndryshimi i panelit gjykues dhe procedurat nganjëherë është dashur të fillojnë nga e para. Zbulimi i vonuar apo vonesa në përkthim i kanë shtyrë gjysmën e këtyre rasteve”, theksoi Gerard McGurk.
Megjithatë, ambasadori vlerësoi se gjatë periudhës së monitorimit është shënuar progres në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
“OSBE-ja ka vërejtur një progres të rëndësishëm në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Raporti përmend edhe praktikat e mira dhe përpjekjet e vazhdueshme nga gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët mbrojtës për të respektuar garancitë e gjykimit të drejtë në pajtim me standardet ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Mes tjerash, Gerard McGurk tha se rekomandimet e raportit përfshijnë përmirësimin e pjesëmarrjes së dëshmitarëve, aktakuza më të sakta, caktimin e gjyqtarëve zëvendësues në rastet me shumë të akuzuar, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe sigurimin e burimeve të nevojshme për zbatimin e reformave.
“Besueshmëria e procedurave në raste kaq komplekse dhe të ndjeshme nuk varet vetëm nga përfundimi i tyre, por nga transparenca dhe zhvillimi i procesit brenda afateve. Misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar që të mbështesë institucionet e drejtësisë përmes monitorimit, dialogut dhe bashkëpunimit me aktorët relevantë”, theksoi ambasadori.
Kryetari i Gjykatës Supreme: Drejtësia për krimet e luftës është obligim ligjor dhe përgjegjësi ndaj viktimave
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Misionit të OSBE-së në Kosovë për institucionet e drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të rasteve të krimeve të luftës dhe rolin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.
“Shpreh mirënjohjen time për misionin e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Për më shumë se dy dekada OSBE-ja ka qenë një partner i rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, në monitorimin e proceseve gjyqësore, në avancimin e standardeve profesionale dhe në mbështetjen e zhvillimit të sistemit gjyqësor në vendin tonë.
Është e rëndësishme të ritheksohet se krimet e luftës janë një ndër shkeljet më të rënda të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare. Ato janë të sanksionuara me Konventat e Gjenevës, Protokollet Shtesë të tyre dhe instrumentet e tjera të së drejtës ndërkombëtare, sepse cenojnë vlerat themelore mbi të cilat ndërtohet paqja, dinjiteti njerëzor dhe drejtësia. Për këtë arsye trajtimi i tyre është jo vetëm obligim sipas legjislacionit tonë, por edhe detyrim që buron nga standardet ndërkombëtare që Republika e Kosovës i zbaton si pjesë e sistemit të saj juridik.
Për qytetarët e Kosovës, këto lëndë kanë një dimension të veçantë njerëzor. Lufta e fundit la mijëra viktima, persona të zhdukur, familje të shkatërruara, dhunë seksuale gjatë luftës, dëbime të popullsisë dhe pasoja që vazhdojnë të ndihen në vendin tonë.
Për shumë familje drejtësia për krimet e luftës nuk është vetëm një vendim gjyqësor. Është një mundësi për të kthyer besimin te drejtësia dhe te dinjiteti njerëzor, dhe se drejtësia mund të gjejë vendin e vet. Ajo përfaqëson gjithashtu një përgjegjësi institucionale dhe shoqërore për të dokumentuar të kaluarën, për të vendosur përgjegjësi për autorët e krimeve dhe për të siguruar që vuajtjet e viktimave dhe të familjeve të tyre nuk do të harrohen”, tha Rexhepi.
Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë: Janë ndërmarrë hapa konkretë në adresimin e krimeve të luftës
Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Genc Nimoni, tha se monitorimi i pavarur i proceseve gjyqësore është i rëndësishëm për transparencën dhe standardet e drejtësisë, ndërsa theksoi se drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës kanë qenë ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë. Ai përmendi edhe disa nga masat dhe rezultatet e arritura në këtë fushë.
“Natyrisht që për mua është kënaqësi sot që të jem këtu së bashku me ju dhe të diskutojmë për një temë mjaft të rëndësishme, por përveç kësaj, gjithashtu që t’i diskutojmë dhe t’i shohim mundësitë e adresimit të rekomandimeve që rrjedhin nga gjetjet e raportit.
Monitorimi i pavarur i proceseve gjyqësore, veçanërisht në rastet e krimeve të luftës, përbën një komponent thelbësor të transparencës institucionale dhe të garantimit të standardeve të drejtësisë. Në këtë kontekst, angazhimi shumëvjeçar i misionit të OSBE-së në Kosovë në monitorimin e procedurave gjyqësore ka krijuar një bazë të rëndësishme për reflektim institucional.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Drejtësisë, me të marrë mandatin, qysh në vitin 2021, ne kemi caktuar prioritetet dhe në kuadër të prioriteteve tona ka qenë gjithashtu adresimi i krimeve të luftës dhe i drejtësisë tranzicionale. Pra, drejtësinë tranzicionale e kemi vendosur ndër prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë me synimin për të siguruar qasje gjithëpërfshirëse ndaj ballafaqimit me të kaluarën, llogaridhënies, dokumentimit të krimeve dhe realizimit të të drejtave të viktimave.
Në këtë drejtim, brenda kompetencave tona, krah sfidave të shumta, ne tashmë kemi arritur të shënojmë rezultate konkrete të cilat natyrisht që ndërlidhen me fushën e krimeve të luftës. Në këtë drejtim, kisha përmendur disa prej këtyre rezultateve ose arritjeve, siç janë themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, si institucion i specializuar për mbledhjen, ruajtjen, hulumtimin dhe dokumentimin e dëshmive mbi krimet e luftës. Pastaj hartimin dhe miratimin e Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale, si një ndër veprimet kryesore institucionale. Gjithashtu, ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale me mundësimin e gjykimeve në mungesë për krimet e luftës, duke krijuar kështu bazën ligjore për avancimin e llogaridhënies në rastet kur të dyshuarit nuk janë të qasshëm për organet e drejtësisë.
Forcimin e kapaciteteve të Prokurorisë Speciale për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës përmes mbështetjes institucionale, shtimit të burimeve njerëzore dhe koordinimit ndërinstitucional me qëllim rritjen e efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve. Gjithashtu, avancimin e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës përmes fuqizimit të mekanizmave për njohjen dhe realizimin e statusit të tyre, lehtësimit të qasjes në të drejtat ligjore dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me organizatat e viktimave dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Përfshirja e viktimave dhe qasja e bazuar në të drejtat e njeriut kanë qenë parime udhëheqëse në hartimin e politikave dhe të masave, duke synuar që zëri dhe nevojat e viktimave të jenë në qendër të proceseve të drejtësisë tranzicionale.
Në këtë drejtim, ne do të vazhdojmë tutje me prioritetet tona në këtë fushë, siç janë zbatimi efektiv i strategjisë, fuqizimi i mëtejmë i mekanizmave për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë, mbështetja e vazhdueshme për viktimat dhe garantimi i qasjes së tyre në drejtësi, avancimi i dokumentimit, ruajtjes së kujtesës institucionale dhe edukimit për krimet e kryera gjatë luftës në vend”, tha Nimoni.

