Monday, October 5, 2026
HomeLajmeKosovëNagavci: Ndryshimi i ligjit nuk i liron të dënuarit, por do t’i...

Nagavci: Ndryshimi i ligjit nuk i liron të dënuarit, por do t’i japim mbështetje

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk i liron ish-drejtuesit e UÇK-së dhe nuk i shfuqizon aktgjykimet e Gjykatës Speciale.

Nagavci i bëri këto deklarata gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ajo tha se Vetëvendosje ka qenë kundër themelimit të Dhomave të Specializuara në vitin 2015 dhe se ky qëndrim, sipas saj, nuk ka ndryshuar.

“Ne ishim kundër krijimit të Dhomave të Specializuara. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar për këtë gjykatë speciale. Kemi menduar atëherë dhe mendojmë edhe sot se çdo dyshim për vepra penale të kryera nga individë duhej të hetohej dhe gjykohej brenda sistemit të rregullt të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Drejtësia ishte e domosdoshme, ndërsa një sistem i veçantë drejtësie për Kosovën ku do t’i gjykohej lufta, sipas nesh nuk ishte”, tha Nagavci.

Ajo tutje tha se Qeveria dhe shumica parlamentare e vitit 2015 bënë një zgjedhje tjetër dhe mbi atë zgjedhje u ndryshua Kushtetuta dhe u miratua ligji.

“Nuk po e përmendim këtë sot për t’u ndarë sërish mes nesh si dikur, por sepse nuk mund të kuptohet vendimi që po e marrim pa kujtuar vendimin prej të cilit ai buron.   11 vjet më vonë, reagimi është i vonuar dhe zgjidhjet e propozuara janë të ngutshme. Kjo duhet thënë me përgjegjësi pikërisht sepse momenti është i rëndësishëm. Megjithatë, nëse ata që e mbështetën këtë zgjidhje më 2015 sot kërkojnë ta ndryshojnë ligjin, ne do ta mbështesim këtë përpjekje. Jo sepse kemi ndryshuar qëndrimin tonë, por sepse bindjen se një vendim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm nuk mund ta përdorim si arsye për të penguar korrigjimin e asaj që ende mund të korrigjohet”, deklaroi ajo.

Megjithatë, Nagavci paralajmëroi se ndryshimi i ligjit nuk i zgjidh çështjet që lidhen me aktgjykimet e Gjykatës Speciale.

“Ndërkohë të jemi të vetëdijshëm për kufijtë e këtij vendimi. Ndryshimi i ligjit që do të votojmë sot nuk i liron personat e dënuar, nuk i shfuqizon aktgjykimet dhe nuk e zëvendëson apelin, nuk i kthen pra ish-drejtuesit e UÇK-së në atdhe”, tha Nagavci.

Ajo përmendi edhe mundësinë që ndryshimet ligjore të kontestohen, duke iu referuar nenit 162 të Kushtetutës dhe mekanizmit të kontrollit kushtetues që lidhet me Dhomat e Specializuara.

“Duhet të jemi të përgatitur edhe për mundësinë që ndryshimet që miratojmë sot të kontestohen dhe zbatimi i tyre të pengohet”, tha Nagavci, duke shtuar se nuk duhet të krijohen “shpresa të rreme”.

Sipas saj, Kuvendi duhet të veprojë, por paralelisht Kosovës i nevojitet një qasje më e gjerë institucionale.

“Por kjo nuk është një arsye për të mos vepruar Kuvendi. Është arsye për të kuptuar qartazi se çfarë mund të arrijmë me ligj dhe çfarë kërkojnë mjetet e tjera. Kosovës i duhet një strategji shtetërore. Le të bëhemi bashkë për të”, u shpreh ajo.

Nagavci kërkoi që procesi i apelimit të trajtohet me seriozitet të lartë juridik, duke përfshirë provat dhe argumentet, ndërsa paralajmëroi edhe nevojën për angazhim diplomatik.

“Apeli duhet të trajtohet me seriozitetin e një beteje të madhe juridike, me provat, argumentet dhe dijen më të mirë që mund të vihet në shërbim të tij. Krahas tij duhet një përpjekje e madhe diplomatike”, tha ajo.

Ajo foli edhe për UÇK-në, duke thënë se karakteri çlirimtar i luftës nuk mund të përcaktohet nga përgjegjësia penale e individëve.

Në fund, ajo tha se vota për ndryshimin e ligjit nuk duhet të shihet si përfundim i çështjes, por si fillim i një angazhimi më të gjerë institucional  ër procedimin në apel, për veprimin diplomatik dhe për dokumentimin e historisë sonë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram