Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës duke folur për propozimin për ndryshimin dhe plotësimin të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, tha se kërkojnë ndryshimin e juridiksionit të një pjese të funksionimit, duke mundësuar hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.
“Procesi gjashtëvjeçar ka dëshmuar se s’ka pasur trafikim të organeve. Fatkeqësisht, ajo re e zezë ka ekzistuar për Kosovën për një kohë të gjatë. Tani Kosovës i është vënë një re tjetër e zezë, janë akuzat për ta cilësuar UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Kjo është një re e zezë që ky Kuvend nuk duhet ta lejojë”, tha ai.
Ai ka thënë se nëpërmjet këtij propozimi Gjykata Speciale vazhdon funksionin për të cilin është krijuar, por ndryshon një pjesë e juridiksionit.
“Procesi gjashtëvjeçar i gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, akuza dhe vendimi në shkallë të parë kanë vërtetuar përtej çdo dyshimi se nuk kishte trafikim të organeve. Ky ligj nuk e heq të drejtën e Gjykatës Speciale për të vazhduar hetimin mbi akuzën e trafikimit të organeve, por i heq një pjesë të juridiksionit të saj, atë që ka të bëjë me krimet e luftës”, tha Gruda.
Ai përmendi mungesën e transparencës së këtij institucioni dhe e quajti të papranueshme, veçanërisht kur ka të bëjë me historinë e një populli.
Gruda tha se Dhomat e Specializuara nuk kanë për detyrë të merren me krimet e luftës, sipas Kushtetutës. Këtë juridiksion ato e kanë marrë nëpërmjet Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Këtë e ka thënë Dhoma Kushtetuese në Hagë në vitin 2022, në një vendim të saj ku thotë se Kuvendi i Kosovës i ka dhënë autorizime shtesë Dhomave të Specializuara që të merren, përtej trafikimit të organeve, edhe me krimet e luftës përmes një ligji. Madje, Dhoma Kushtetuese në Hagë thotë se, po të kishte dashur Kuvendi i Kosovës, e kishte reduktuar me ligj këtë juridiksion vetëm në pretendimet specifike të raportit të Dick Marty-t. Ky ka qenë pikësynimi ynë për të marrë e për të ndryshuar ligjin, pra është një jurisprudencë e Dhomës Kushtetuese atje që lejon ndryshimet ligjore”, tha ai.
“Kjo nënkupton që Kosova nuk do të ndryshojë Kushtetutën e saj (Apendiksin 24), nuk do të prekë asnjë detyrim ndërkombëtar që ka marrë përmes shkëmbimit të letrave të ratifikuara në këtë Kuvend, e as nuk prish marrëveshjen ndërkombëtare që kemi me Holandën, sepse ato të gjitha janë në funksion të hetimit të pretendimeve për trafikim të organeve. Ajo që bëjmë është që krimet e luftës të zhvendosen për t’u gjykuar në Kosovë nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, të cilat tashmë kanë krijuar një përvojë të gjatë në këtë drejtim. Kështu që ligji vetëm i bart këto kompetenca për të gjitha rastet e ardhshme”, shpjegoi Gruda.
Në rastin e gjykimit ndaj katërshes së UÇK-së, Gruda tha se, nëse do të ketë vendim të shkallës së tretë, “ligji parashikon që ajo të zhvendoset në Kosovë. Nëse do të ketë, sepse mund të mos ketë, ai rast do të gjykohet nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, sepse i gjithë vendimi i shkallës së parë ka të bëjë me krimet e luftës dhe ato lejohen të transferohen në Kosovë”.
Gruda specifikoi se në kërkesën e tyre është edhe mundësia e mbikëqyrjes nga organizata ndërkombëtare, universitete apo institute për të mbikëqyrur punën e Dhomave të Specializuara, përkatësisht punën e Apelit në Dhomat e Specializuara.

