Ka vdekur në moshën njëzet e pesë vjeçare mesfushori i kombëtares së Afrikës së Jugut, Jayden Adams, i cili ka qenë pjesë e ekipit në Botërorin 2026 dhe ka luajtur në të tri ndeshjet e fazës së grupeve.
Lajmi është konfirmuar nga një familjar i tij, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura detaje rreth shkakut të vdekjes.
Adams ishte futbollist i skuadrës së njohur afrikano-jugore Mamelodi Sundowns, me të cilën në sezonin 2025/26 e kishte fituar titullin e Champions League të Afrikës.
Ai ishte pjesë e Botërorit 2026 dhe e nisi nga minuta e parë ndeshjen ndaj Meksikës dhe Republikës Çeke, ndërsa hyri si zëvendësues në fitoren 1:0 ndaj Koresë së Jugut, rezultat që i siguroi Afrikës së Jugut kualifikimin historik në fazën me eliminim direkt të një Botërori për herë të parë, ku më pas u eliminua nga Kanadaja.
Adams kishte dalë nga akademia e Stellenbosch FC, ndërsa në janar të vitit 2025 ishte transferuar te Mamelodi Sundowns.
Ai kishte debutuar për kombëtaren e Afrikës së Jugut në vitin 2022, në ndeshjen kundër Mozambikut. Kishte zhvilluar trembëdhjetë paraqitje ku kishte shënuar dy gola, të dy në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026.
Sindikatat e Futbollistëve Profesionistë të Afrikës së Jugut kanë shprehur dhimbjen për humbjen e tij.
“Vdekja ka marrë mizorisht njërin prej nesh. Ajo i ka marrë kombit tonë një futbollist të jashtëzakonshëm, por nuk do ta marrë kurrë trashëgiminë që Jayden Adams lë pas. Do ta kujtojmë gjithmonë për përulësinë, talentin e jashtëzakonshëm dhe krenarinë me të cilën përfaqësoi Afrikën e Jugut”, thuhet në mesazhin e tyre. “Prehu në paqe të përjetshme, Jayden. Nuk do të harrohesh kurrë”.

