Nga Vladimir Muçaj
Jemi mësuar të besojmë se filmi “e vret” librin. Se pasi historia ngjitet në ekran, lexuesi nuk ka më arsye të kthehet te faqet. Me “Odisenë” po ndodh pikërisht e kundërta. Kudo po flitet për një bum shitjesh të veprës së Homerit. Një paradoks i bukur, që na kujton se kryeveprat nuk zëvendësohen – ato rizbulohen.
Në fund të fundit, si mund të zëvendësohet Homeri? Filmi mund të na tregojë udhëtimin e Odiseut, por nuk mund të zëvendësojë fuqinë e vargut, simbolikën, mitin dhe emocionin që vetëm leximi di të zgjojë. Ekrani të fton; libri të përfshin.
Ka edhe një detaj që nuk kalon pa u vënë re. Në kolonën zanore dëgjohen jehona të isopolifonisë së Jugut, të ndërthurura me tingujt e fyellit. Një zgjedhje artistike që i jep filmit një frymëmarrje të lashtë mesdhetare. Për ne, këta tinguj nuk janë thjesht muzikë. Janë kujtesë, identitet dhe një dëshmi se kultura jonë mund të dialogojë natyrshëm me mitet më të mëdha të qytetërimit.
Ndoshta ky është edhe mesazhi më i bukur i gjithë kësaj historie. Kinemaja nuk fiton kur e zëvendëson letërsinë; fiton kur e rikthen lexuesin tek ajo. Kur pas daljes nga salla e kinemasë lind dëshira për të hapur Homerin, filmi e ka përmbushur misionin e tij më fisnik.
Në një kohë kur flitet se njerëzit lexojnë gjithnjë e më pak, “Odiseja” po na jep një lajm të mirë: një film i madh mund të zgjojë një etje edhe më të madhe për librin. Dhe kjo është ndoshta fundi më i bukur që mund të ketë një ekranizim – ai që nuk mbyll një histori, por hap një libër.

