Artistë të dëshmuar, gastronomi e pasur e atmosferë verore po sjellë për 44 ditë rresht iniciativa tashmë e përvitshme në sheshet e Prishtinës, “Akull n’Verë”.
Viola Musliu e cila merret me organizimin e ngjarjes që po mbahet në sheshin “Skënderbeu” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti” ka folur për energjinë e sivjetme, në një intervistë në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
“Akull n’Verë’ është një festival veror që tash këtë vit po vjen me konceptin ‘Colorful Edition’. Krejt ideja jonë është që si në sheshin ‘Skënderbeu’, si në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, ta kemi një vendtakim të qytetarëve në shesh, si me diasporë, si me vizitorët prej qyteteve të tjera të Kosovës, po edhe me turistët e huaj”, tha ajo.
Sivjet janë gjithsej 40 shtëpiza të bizneseve, të cilat në pamje u janë përshtatur temës së përzgjedhur. Musliu shpjegoi se në aplikimet për pjesëmarrje të bizneseve nuk u është kërkuar përvoja, për çka mundëson edhe përfshirjen e bizneseve të reja në këtë festival.
“Shtëpizat këtë vit janë me ngjyra. Jemi përshtatë me ‘Colorful Edition’ sepse vera është stina e ngjyrave. Kështu që çdo qytetar që vjen me vizitua ‘Akull n’Verë’ e ndjenë atmosferën që në hyrje të ngjarjes”, deklaroi Musliu.
Sipas saj, ky festival po bën bashkë grupmosha të ndryshme, të cilat kanë interesim për artistët e përzgjedhur që ngjiten çdo natë në skenë.
“E mira është se ky festival është për të gjitha grupmoshat: për fëmijë, për familjarë, për të rritur, për të rinj. Tash nëse të pengon zhurma e koncerteve live që bëhen në sheshin ‘Skënderbeu’, mund të shkosh te ‘Zahir Pajaziti’, i kemi shtëpizat që vendosen me aparaturë për pije edhe që munden me dëgjua muzikë nga larg”, tha ajo.
Musliu tha se këtë vit nuk mungojnë as aktivitetet kulturore e sportive, spektaklet, akrobacionet për fëmijë, grafitet për të rinjtë dhe për fëmijët.
“Kemi turne basketbolli, mini-futboll, kemi aktivitete mjaftueshëm që me përmbushur ato që nëse nuk do me ardhë mbrëmë në koncert, mundesh edhe gjatë ditës me i shfrytëzuar për aktivitete kulturore”, tha ajo.

