Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se pasi Lumir Abdixhiku vazhdon me udhëheqjen e këtij subjekti politik, nesër në mëngjes do të vazhdojnë proceset për formimin e institucioneve të reja.
“Nesër në mëngjes kryetari e rikthen autorizimin për kërkesën e dytë, e cila është po aq e rëndësishme, për bashkëpunimin dhe përfundimisht thyerjen e këtij qarku të mbyllur politik në të cilin ka hyrë Kosova, e (LDK) të ndikojë e të ndihmojë në përfaqësimin e interesave të Republikës e të qytetarëve”, tha ai, për bisedimet me LVV-në rreth formimit të institucioneve të reja.
Ai përmendi tri parime, të cilat, sipas tij, i ka LDK-ja si parakusht për formimin e koalicionit me LVV-në.
“Në tri parimet që i kemi thënë tash e një kohë: duhet të kemi marrëveshje për gjithçka ose asgjë; pika e dytë është agjenda shtetërore, politikat sektoriale, programet qeverisëse, interesi i Republikës, sepse Kosova ka agjendë të rëndë. Tash e dy vjet e gjysmë nuk është punuar e nuk është përballuar asgjë në këtë vend; mandej, konform dy të parave, është ndarja e përgjegjësive, aty ku secili e merr rolin, e merr edhe përgjegjësinë. E kundërta, LDK shkon dhe shkakton procese, që shtyjmë agjendën e Republikës”, tha Haziri.
“LDK nuk punon për emër të përveçëm, por për procese”, tha ai.
Ai tha se Kuvendi i Jashtëzakonshëm është karakterizuar nga një ambient kolegial dhe paqësor.

