Delegatët e pranishëm në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së kanë nisur të votojnë. Nëpërmjet votës së tyre të fshehtë, do të përcaktohet fati politik i kryetarit Lumir Abdixhiku.
Delegatët do të vendosin nëse do të vazhdojnë nën udhëheqësinë e tij, apo do ta shkarkojnë atë nga pozita.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së vazhdon me dyer të mbyllura
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së po vazhdon me dyer të mbyllura për media.
Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Ferati ka ftuar Armend Zemajn në foltore, që të flasë në emër të delegatëve të nënshkruar të cilët kanë kërkuar largimin e kreut të deritanishëm, Lumir Abdixhikut.
Abidxhiku në fjalimin e tij tha se për herë të parë në historinë e këtij subjekti politik, delegatët u mblodhën jo për të zgjedhur por për të rrëzuar.
“I kemi quajtur e trajtuar si festë të gjitha proceset tona demokratike. Por sot më duhet të them me keqardhje të madhe se as nuk e ndjej as nuk e shoh si festë këtë kuvend. Do të mbeteni të sigurtë se as anëtarësia jonë, e lënduar, nuk e sheh e nuk e ndjen si të tillë. Për herë të parë në historinë tonë 37 vjeçare, nuk po mblidhemi për të zgjedhur por për të rrëzuar. Për këtë është mbledhur LDK sot. Pavarësisht rezultatit përfundimtar që kjo ditë do ta nxjerr, në historinë e LDK-së dita 30 korrik do të mbetet si dita kur rrëzimi i kryetarit të partisë ishte motiv i mbledhjes sonë”, tha ai.
Ndërkaq para nisjes së mbledhjes, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha se sot do të ndodh praktika e një të drejte demokratike, teksa potencoi që ky kuvend ka vetëm një rend dite.

