Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, tha se përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së re kanë përfunduar dhe shprehu pritjen që Kuvendi të konstituohet më 6 gusht.
“Procedura është e njohur për të gjithë. Përgatitjet e Kuvendit kanë përfunduar dhe uroj që më 6 gusht Kosova të arrijë të konstituojë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se regjistrimi i deputetëve do të zhvillohet më 3, 4 dhe 5 gusht, sipas planifikimit të Administratës së Kuvendit.
Haxhiu njoftoi gjithashtu se më 10, 11 dhe 12 gusht Kuvendi do të hapë dyert për bashkatdhetarët që ndodhen në Kosovë gjatë verës.
“Të gjithë ata që këtë verë kanë ardhur në Kosovë mund të hyjnë në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të ulen në ulëset e deputetëve të Kuvendit, të shohin dhe të mësojnë nga afër për institucionin që i përfaqëson edhe ata”, tha ajo.
E pyetur për deklaratat se mund të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit, Haxhiu tha se ende nuk është marrë një vendim nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kush do të jetë kryetar apo kryetare e Kuvendit ende nuk është caktuar… ende nuk kemi vendosur se kush do të jetë propozimi ynë”, u shpreh ajo.
Lidhur me bisedimet politike, Haxhiu tha se është e rëndësishme që takimet ndërmjet subjekteve të vazhdojnë.
“Është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë… të ketë përpjekje maksimale, seriozitet që të arrihet një marrëveshje me të cilën arrijmë të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit”, deklaroi Haxhiu.

