Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb ka njoftuar se fluksi i shtuar i udhëtarëve ka shkaktuar pritje të gjata në pikat kufitare dhe kolona të gjata në autostradat e Kroacisë, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i marrin parasysh vonesat gjatë planifikimit të udhëtimeve.
Sipas Ambasadës, në pikën kufitare Karasovići, në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi, pritjet për hyrje arrijnë deri në katër orë, ndërsa në dalje raportohen kolona disa kilometra të gjata. Edhe në pikën kufitare Vitaljina pritjet në dalje zgjasin rreth katër orë.
Në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë, në pikën kufitare Bajakovo, pritjet arrijnë deri në tre orë.
Ambasada bën të ditur se, përmes atasheut të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sefadin Kuçi, është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet policore përgjegjëse për zonën kufitare, të cilat kanë njoftuar se po ndërmarrin masa për menaxhimin e situatës dhe lehtësimin e qarkullimit.
Për shkak të bllokimeve, kryetari i Komunës së Konavlës ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile dhe u ka bërë thirrje banorëve të shmangin udhëtimet e panevojshme me automjete. Ndërkohë, policia po orienton një pjesë të trafikut në rrugë alternative, ndërsa banorët lokalë po u shpërndajnë ujë udhëtarëve dhe po u ofrojnë përdorimin e tualeteve.
Sipas njoftimit, kolona të gjata janë evidentuar pothuajse në të gjitha autostradat e Kroacisë, ndërsa situata ka shkaktuar edhe vonesa në transportin publik. Bashkatdhetarët që kanë udhëtuar nga Stacioni i Autobusëve në Zarë kanë raportuar vonesa deri në tri orë.
Ambasada u rekomandon udhëtarëve dhe transportuesve që gjatë planifikimit të udhëtimeve të llogarisin vonesat dhe kufizimet aktuale në qarkullim

