Komuna e Drenasit ka njoftuar subjektet afariste se, pas arritjes së dakordimit me operatorin ekonomik për rregullimin e sheshit të qytetit dhe duke marrë parasysh kërkesat e bizneseve, është mundësuar aplikimi për shfrytëzimin e përkohshëm të hapësirës publike në sheshin para lokaleve të tyre.
Sipas njoftimit të Komunës, aplikimi bëhet në përputhje me dispozitat e Rregullores Komunale për Taksa, Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba, si dhe me aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi që rregullojnë shfrytëzimin e përkohshëm të hapësirave publike.
Komuna, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ka ftuar të gjitha subjektet afariste që aktualisht shfrytëzojnë ose synojnë të shfrytëzojnë këto hapësira, të paraqesin kërkesën për pajisje me leje, në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara me legjislacionin dhe rregulloret komunale në fuqi.
Në njoftim thuhet se aplikimet duhet të dorëzohen në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUMM), me qëllim të rregullimit të statusit të shfrytëzimit të hapësirave publike dhe sigurimit të përdorimit të tyre në mënyrë të ligjshme, të rregullt dhe në përputhje me dispozitat ligjore.
Komuna e Drenasit ka falënderuar bizneset për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre.

