Policia e Kosovës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim, i cili dyshohet për disa vepra të rënda penale dhe tentoi të arratisej drejt Serbisë gjatë ndërhyrjes së zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 3 gusht 2026, pak pas orës 22:00.
“Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative me ç’ rast automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë, ku gjatë kontrollit policor, pasagjeri në automjet, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’i shmanget zyrtarëve policorë duke u larguar me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt fshatit Breznicë/Serbi”, thuhet në njoftim.
Policia ka reaguar menjëherë, duke e ndaluar dhe arrestuar të dyshuarin pranë vijës kufitare, çka bëri të mundur parandalimin e arratisjes së tij nga territori i Republikës së Kosovës.
Sipas autoriteteve, ndaj Reshanit ishte në fuqi një urdhërarrest aktiv dhe ai kërkohej nga organet e drejtësisë për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti dhe sekuestroi edhe një thikë. Me udhëzim të prokurorit kompetent është iniciuar rast i ri për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, i arrestuari iu dorëzua njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedurat e mëtejshme lidhur me urdhërarrestin dhe rastet për të cilat kërkohej.
Policia e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në kontrollin e kufirit shtetëror, parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare dhe arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.

