Me ardhjen e verës dhe sezonit të pushimeve për bashkatdhetarët, takimet tradicionale po shtohen në zona të ndryshme rurale të vendit. Qytetarë nga mjediset urbane dhe bashkëvendësit nga mërgata po rikthehen për të ruajtur traditën dhe lidhjet me vendlindjen, përmes organizimeve të tilla si në fshatin Busi, që mbahet për herë të tretë dhe në Marec, për herë të katërt.
Për mijëra bashkatdhetarë që jetojnë larg Kosovës, kthimi në Malësinë e Gollakut është shumë më tepër se një vizitë verore. Është rikthim te rrënjët, kujtimet e fëmijërisë dhe te shtëpitë e brezave që ndër vite kanë ruajtur lidhjen me vendlindjen. Një nga këto takime është edhe ai i bashkëvendësve në fshatin Busi të Gollakut.
“Qëllimi është të njoftohen mes vete, sepse siç po shihet edhe në bazë të situatës, mërgimtarët veç vijnë një herë në vit pothuajse”, tha Nezir Gashi banor i fshatit Busi të Prishtinës.
“Ky është viti i tretë që Busia na bashkon. Po arrihet numri më i madh i banorëve, ka interesim më të madh dhe shpresojmë që çdo vit të bëhet edhe më mirë”, tha Besim Gashi, bashkëkombës nga mërgata.
Pas muajsh largësie, Gollaku i pret me mall ata që rikthehen në vendlindje. Distanca nuk ka arritur ta zbehë dashurinë për tokën ku nis historia e secilit, thotë Xhemajl Gërbeshi nga fshati Marec.
“I kanë tokat e tyre këtu, vendlindjen e baballarëve të tyre. Kanë ndërtuar shtëpi dhe po ndërtojnë çdo ditë. Edhe vetë ky manifestim tregon se dashuria për vendlindjen nuk ka humbur”, tha ai.
Takimet e mërgimtarëve në këtë malësi janë më shumë se festa familjare. Ato janë rikthim i kujtesës, i traditës dhe i lidhjeve me vendin e origjinës. Pavarësisht se ku i ka shpërndarë jeta, zemra e tyre vazhdon të rrahë në ritmin e vendlindjes.

