Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka përmbyllur gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 me rezultate pozitive në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, investime në infrastrukturë dhe zgjerim të kapaciteteve, ka deklaruar drejtori i institucionit, Dr. Afrim Cana, në një intervistë për Gjilani Info.
Sipas Canës, gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi 68.800 kontrolle specialistike, ndërsa janë hospitalizuar rreth 6.900 pacientë, falë angazhimit të stafit shëndetësor dhe administrativ.
Ndër arritjet kryesore ai veçoi vendosjen e gurthemelit të objektit të ri të Pediatrisë, përurimin e objektit të ri të Hemodializës, me sipërfaqe mbi 800 metra katrorë dhe të ndërtuar sipas standardeve evropiane, si dhe fillimin e skriningut neonatal në Spitalin e Gjilanit.
Po ashtu, gjatë gjashtëmujorit të parë janë organizuar kontrolle falas për melanomën dhe janë digjitalizuar të gjitha shërbimet specialistike ambulatore, duke mundësuar monitorim në kohë reale dhe menaxhim më efikas të shërbimeve.
Duke folur për sfidat, Cana tha se fluksi i madh i pacientëve, veçanërisht në Ortopedi, mungesa e specialistëve në disa profile dhe rritja e kërkesës për shërbime kanë qenë ndër problemet kryesore. Megjithatë, ai bëri të ditur se, me mbështetjen e SHSKUK-së, janë punësuar tetë specialistë të rinj: tre urologë, dy ortopedë, dy pulmologë dhe një radiolog.
Sipas tij, investimet në infrastrukturë, pajisje mjekësore, zgjerimin e parkingut dhe përmirësimin e kushteve të punës kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe uljen e kohës së pritjes për pacientët.
Cana theksoi se aktualisht shfrytëzueshmëria e kapaciteteve spitalore është 62.5 për qind, ndërsa kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të pacientëve në spital është 4.8 ditë, tregues që, sipas tij, dëshmojnë menaxhim efikas të kapaciteteve.
Sa i përket prioriteteve deri në fund të vitit, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit përmendi përfundimin e projekteve infrastrukturore, vazhdimin e projektit LuxDev, sigurimin e pajisjeve të reja mjekësore, plotësimin e stafit, zgjerimin e shërbimeve specialistike dhe vazhdimin e procesit të digjitalizimit.
Në fund, Dr. Afrim Cana falënderoi qytetarët për besimin ndaj spitalit dhe stafin shëndetësor për përkushtimin e treguar, duke premtuar se institucioni do të vazhdojë të ofrojë shërbime sa më cilësore, humane dhe profesionale për të gjithë pacientët.

