Wednesday, August 5, 2026
HomeLajmeRajonUGSH kundërshton rregulloren e re të GJKKO-së: Kufizon lirinë e medias dhe...

UGSH kundërshton rregulloren e re të GJKKO-së: Kufizon lirinë e medias dhe cenon të drejtën e informimit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër ndaj rregullores së re të publikuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) duke e cilësuar atë si një akt që vendos kufizime të pajustifikuara për gazetarët dhe cenon lirinë e medias.

Në një deklaratë zyrtare, UGSH thekson se Vendimi nr. 49, i datës 17 korrik 2026, me të cilin miratohet “Rregullorja e Brendshme për Sigurinë, Rendin, Solemnitetin dhe Rregullat e Sjelljes në Ambientet e GJKKO-së”, si dhe komentari shoqërues prej 532 faqesh, përmbajnë dispozita që kufizojnë aksesin e mediave dhe krijojnë procedura burokratike që pengojnë ushtrimin e profesionit të gazetarit.

Sipas UGSH-së, rregullorja vendos kërkesa për autorizime paraprake, kufizon numrin e gazetarëve që mund të ndjekin proceset gjyqësore, vendos rregulla të reja për regjistrimet audio-vizive dhe fotografimin, si dhe parashikon procedura akreditimi që cenojnë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e informimit.

Organizata argumenton se këto masa bien ndesh me nenin 22 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe me nenet 6 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë lirinë e shprehjes, zhvillimin publik të proceseve gjyqësore dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

UGSH shpreh shqetësim edhe për procedurën e akreditimit, e cila parashikon regjistrimin e gazetarëve vetëm një herë në vit duke e cilësuar atë të papërshtatshme për funksionimin normal të redaksive. Gjithashtu, organizata vëren mungesën e një mekanizmi ankimi për rastet kur gazetarëve u refuzohet hyrja në ambientet e gjykatës.

Në reagim thuhet se filozofia mbi të cilën është ndërtuar rregullorja e trajton median si rrezik për procesin gjyqësor, ndërkohë që media duhet të konsiderohet garant i transparencës dhe kontrollit publik mbi sistemin e drejtësisë.

Për këtë arsye, UGSH i ka bërë thirrje GJKKO-së të rishqyrtojë menjëherë dispozitat që lidhen me mediat dhe t’i harmonizojë ato me Kushtetutën dhe standardet evropiane. Njëkohësisht, organizata u ka kërkuar Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadës së SHBA-së, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare të monitorojnë situatën dhe të ndërhyjnë për të shmangur krijimin e praktikave që, sipas saj, mund të cenojnë lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për informim. /Kosovatimes/

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram