Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se një paciente, shtetase e huaj, e diagnostikuar me malarie, po trajtohet në Klinikën Infektive dhe gjendja e saj është e qëndrueshme.
Në njoftim thuhet se pacientja është pranuar më 1 gusht 2026 në QKUK, në gjendje tejet të rëndë shëndetësore, pa vetëdije dhe me parametra vitalë e laboratorikë të çrregulluar.
Sipas QKUK-së, pas ekzaminimeve klinike, pacientja është transferuar në Klinikën Infektive për shkak të shenjave të një infeksioni të rëndë sistemik.
Tutje, në njoftim theksohet se gjatë vlerësimit epidemiologjik është konstatuar se pacientja kishte udhëtuar së fundmi në vende ku malaria është endemike. Për këtë arsye janë kryer analizat specifike, të cilat kanë konfirmuar diagnozën e malaries.
QKUK-ja ka bërë të ditur se menjëherë pas konfirmimit të diagnozës ka filluar trajtimi specifik antimalarik. Pacientja po trajtohet në Klinikën Infektive, nën përkujdesjen e infektologëve.
Në njoftim thuhet se fillimisht ajo ka nisur të komunikojë me vështirësi, ndërsa më 5 gusht 2026 gjendja e saj është e qëndrueshme. Pacientja komunikon lirshëm, ndërsa parametrat vitalë dhe laboratorikë po kthehen gradualisht në vlera normale.
Po ashtu, theksohet se malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të zakonshëm, por zakonisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Sipas të dhënave të mbikëqyrjes epidemiologjike, gjatë periudhës 2022–2025 janë raportuar tetë raste të malaries në Kosovë.
Në njoftim bëhet e ditur se të gjitha rastet kanë qenë të importuara dhe janë diagnostikuar te persona që kishin udhëtuar në vende të kontinentit afrikan ose kishin ardhur prej tyre.
Deri më tani, në Kosovë nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit lokal të malaries

