Ish-ministri, Liburn Aliu, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në kuadër të hetimeve për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas daljes nga intervista, Aliu tha se është i lehtësuar që pati mundësinë të sqarojë qëndrimin e tij.
Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në kuadër të hetimeve për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, tha për RTK-në se, për shkak të fazës së procedurës, nuk mund të jepen më shumë detaje.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se i pandehuri L.A. është intervistuar në kuadër të veprimeve hetimore, lidhur me veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’. Për shkak të fazës së procedurës nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, ka deklaruar Luta.
Pas intervistimit, Liburn Aliu tha se ndihet i lehtësuar që ka pasur mundësinë të sqarojë para prokurorëve pretendimet që, sipas tij, janë ngritur ndaj tij gjatë kohës sa ka ushtruar detyrën e ministrit.
“Është lehtësim që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë ta sqaroj pak situatën para Prokurorisë për të gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje. Për të gjithë periudhën sa kam qenë ministër kam vepruar në përputhje me ligjin, sipas rekomandimeve të ZKA-së. Nuk ka asnjë vendim i cili mundet të më ndërlidhë me këtë proces. Për pretendimin për mosveprim, i tërë rasti ka qenë i audituar nga ZKA-ja, ka pasur rekomandime dhe është vepruar në bazë të tyre. Jam i lehtësuar”, u shpreh Aliu.
Avokati i tij, Artan Qerkini, tha se Aliu i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë pa hezitim dhe ka dhënë të gjitha sqarimet e kërkuara në cilësinë e personit të dyshuar.
Rasti lidhet me hetimet për dyshimet rreth menaxhimit të borxheve të operatorëve ekonomikë ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, borxh që raportohej të ishte afër 20 milionë euro.
Aliu kishte deklaruar edhe më herët se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me organet e drejtësisë lidhur me këtë rast.
Ai ka qenë ministër deri në gusht të vitit 2025, ndërsa aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të Portit të Durrësit në Shqipëri.

