Sunday, August 9, 2026
HomeLajmeKosovëAbdixhiku para takimit me Kurtin:Të konstituohet Kuvendi, LDK-ja nuk nënshtrohet

Abdixhiku para takimit me Kurtin:Të konstituohet Kuvendi, LDK-ja nuk nënshtrohet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se prioriteti kryesor duhet të jetë përmbyllja e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në një prononcim për media para takimit të radhës me kryeministrin në detyrë dhe njëherësh liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është paraparë për orën 13:30, Abdixhiku tha se nuk ka arsye për vonesa në këtë proces dhe se duhet të votohet kryetari dhe Kryesia e Kuvendit.

“Duhet të vazhdojmë me të vetmen gjë që duhet të bëjmë, që është konstituimi i Kuvendit. Nuk ka arsye që të ketë vonesë në konstituimin e Kuvendit. Duhet të ketë seancë konstituive, duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit. LDK as nuk ka kërkuar dhe as nuk kërkon që të ketë vonesa të tilla, por kjo është përgjegjësi e partisë së parë, që ka qëlluar që ta ketë deputetin më të vjetër që kryeson seancën”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se përgjegjësia për thirrjen e seancës konstituive i takon partisë fituese, duke iu referuar rolit të saj në këtë proces.

Sipas Abdixhikut, nëse vonesat shfrytëzohen si pjesë e taktikave negociuese, LDK-ja nuk do të pranojë një qasje të tillë.

“LDK-ja nuk nënshtrohet dhe Republika nuk dorëzohet. As nuk nënshtrohemi, as nuk dorëzohemi”, u shpreh ai.

Kreu i LDK-së bëri të ditur se në takimin me Kurtin do të diskutohet për hapat e mëtejmë, ndërsa tha se qëndrimet e partisë do t’i bëjë publike pas përfundimit të takimit.

“DO të përpiqemi sa më mirë t’i përfaqësojmë interesat e popullit të Kosovës dhe LDK-së. Pas takimit do të deklarohemi edhe para medieve”, tha Abdixhiku.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram