Sipas përditësimit të fundit nga policia tajlandeze, shtatë persona kanë vdekur, përfshirë autorin e krimit, ndërsa 15 të tjerë u plagosën në sulmin në shkollë.
Autori i sulmit të armatosur në një shkollë në Tajlandë vrau fillimisht gjyshërit e tij në shtëpinë e tyre sot, të premten, dhe më pas shkoi në shkollë, në periferi të Bangkokut, ku hapi zjarr, njoftoi policia.

Sipas njoftimit të autoriteteve, autori i krimit, i cili ishte nxënës në shkollë, qëlloi gjithsej 26 herë , ndërsa 34 gëzhoja të tjera u gjetën në vendin e sulmit.
Mësues dhe fëmijë humbën jetën, ndërsa disa persona u plagosën kur nxënësi hapi zjarr.
Sipas përditësimit të fundit nga policia tajlandeze, gjithsej shtatë persona humbën jetën, përfshirë autorin e krimit, ndërsa 15 të tjerë u plagosën në sulmin ndaj shkollës.

Sulmi u regjistrua në distriktin Bang Kriya, provinca Nonthaburi. Një student 18-vjeçar i tha Reuters se fillimisht mendoi se dëgjoi fishekzjarre ose dikë që po godiste diçka.

“Në fillim nuk mendova se ishte armë ,” tha ai. “Pati shumë të shtëna: bum, bum, bum. Pastaj u bë qetësi. Pastaj filloi përsëri.”

Në fotot e publikuara nga ekipet e shpëtimit, nxënësit shihen duke u larguar masivisht nga shkolla Debsirin Nonthaburi, në periferitë veriperëndimore të Bangkokut, ndërsa ambulancat ndodhen në vendngjarje.
Në një foto, një person shihet i shtrirë në një barelë jashtë një ambulance, ndërsa një tjetër po kujdeset nga një ndihmës mjekësor.

Gjatë vitit shkollor 2025, shkolla kishte afërsisht 3,100 nxënës dhe 147 mësues , sipas autoriteteve të distriktit.
Në shkurt, një mësues u vra dhe një nxënës u plagos në Tajlandën jugore, pasi një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë.
Sulmuesi, për të cilin policia thotë se është një nxënës 14-vjeçar, u gjet i vdekur dhe është renditur si viktima e shtatë.
Shefi i Policisë Provinciale të Nonthaburi-t, Dechrapee Kongde, i konfirmoi BBC-së se sulmuesi ishte një nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, që është ekuivalente me klasën e nëntë në sistemin tonë arsimor.
Kur bëhet fjalë për numrin e viktimave, mediat dhe agjencitë lokale po japin shifra të ndryshme në raportet e para pas tragjedisë. BBC publikoi informacionin e fundit nga policia, i cili thotë se shtatë persona kanë vdekur, domethënë, nxënësi vrau gjashtë persona dhe veten. Mediat lokale raportuan gjithashtu se të paktën katër mësues nga shkolla ishin midis të vdekurve.
Policia dhe shërbimet e emergjencës janë në terren, dhe numri i saktë i viktimave dhe shkalla e lëndimeve të të plagosurve do të dihet më vonë.
Të shtënat ndodhën në një degë të shkollës prestigjioze Debsirin, të vendosur në Nonthaburi. Është një institucion arsimor jashtëzakonisht i njohur dhe prestigjioz në Tajlandë.
Shkolla origjinale Debsirin në Bangkok u themelua nga mbreti tajlandez Chulalongkorn që në vitin 1885. Shkolla dhe degët e saj të ndryshme në të gjithë vendin kanë qenë të lidhura ngushtë me prestigjin arsimor në këtë vend aziatik për dekada të tëra.
Shumë figura publike në Tajlandë kanë ndjekur pikërisht këtë shkollë, përfshirë diplomatë të shquar, atletë të nivelit të lartë dhe madje edhe disa ish-kryeministra.
Policia po vazhdon hetimet për të përcaktuar motivet e sakta që e çuan këtë djalë drejt kryerjes së një krimi të tmerrshëm.

