Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar një qëndrim të qartë nga partia e tij.
Gashi ka thënë se situata në Kuvend po përshkallëzohet dhe se vendit i duhet më shumë dialog, maturi dhe angazhim institucional.
“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Sipas tij, në këtë situatë “po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së”.
“Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Gashi në fund i ka bërë thirrje partisë së tij që të reagojë ndaj zhvillimeve në Kuvend.
“Është koha që LDK-ja të flasë”, ka përfunduar Gashi.

