atsh
Veprat e shkrimtarëve shqiptarë që arritën të kapërcenin kufijtë e një vendi të izoluar vazhdojnë të ngjallin kureshtje dhe interes te lexuesit e huaj.
Një nga dëshmitë më të qarta të këtij interesi është numri në rritje i turistëve që vizitojnë shtëpitë muze të Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë në Tiranë.
Muajt e verës kanë sjellë një rritje të ndjeshme të turistëve të huaj, një pjesë e të cilëve kanë qenë të interesuar të shuanin kuriozitetin për jetën e këtyre shkrimtarëve. Në krye të listës së vizitorëve të huaj janë francezët, një pjesë e të cilëve kanë një njohje të hershme me krijimtarinë e Ismail Kadaresë. Për ta, të shohin nga afër hapësirat ku ka jetuar dhe punuar një prej shkrimtarëve shqiptarë më të përkthyer, i jep një dimension tjetër veprës së tij.
Interesi i tyre nuk lidhet vetëm me letërsinë, por edhe me raportin e Kadaresë me regjimin komunist apo me mënyrën se si mund të mbijetojë një mendje e lirë në një vend të izoluar.
Për adhuruesit e letërsisë, këto shtëpi muzeale krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë me autorët dhe procesin e tyre krijues. Një nga elementët që vlerësohet veçanërisht është ruajtja e objekteve origjinale dhe autenticiteti i hapësirave.
Interesi në rritje i turistëve ka bërë që shtëpitë-muze Agolli e Kadare të përfshihen gjithnjë e më shpesh në guidat turistike të Tiranës. Krahas vizitave fizike, muzeu pritet të pasurojë ofertën edhe me një audioguidë në gjashtë gjuhë të ndryshme, që do të jetë e disponueshme brenda vitit.

