Thursday, August 13, 2026
HomeLajmeKosovëGjakovë: Një muaj paraburgim për tre të dyshuar pas përleshjes me armë

Gjakovë: Një muaj paraburgim për tre të dyshuar pas përleshjes me armë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar nga një muaj paraburgim për tre të pandehur, lidhur me një rast të ndodhur më 10 gusht në rrugën “Dëshmorët e Hereçit”.

Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj H.D. rëndojnë dyshimet për vrasje në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa A.D. dhe E.G. dyshohen për pjesëmarrje në rrahje.

Gjykata citon kërkesën e Prokurorisë, sipas së cilës pas një mosmarrëveshjeje dhe konflikti fizik, H.D. dyshohet se ka shtënë disa herë me armë në drejtim të D.G., duke e qëlluar në pjesën e sipërme të këmbës së majtë.

“Si pasojë e lëndimeve të pësuara nga të shtënat me armë, i dëmtuari është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Gjykatësi i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Samedin Cena, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Të tre të pandehurit do të qëndrojnë në paraburgim deri më 10 shtator, ndërsa palët kanë të drejtë ankese ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram