Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, të dyshuar për vrasje në tentativë, lëndim të rëndë trupor dhe pjesëmarrje në rrahje.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 gusht, rreth orës 00:15, në rrugën “12 Qershori”, në afërsi të kafiterive “Dritare” dhe “0290”, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes pronarëve të lokaleve.
Prokuroria thotë se i pandehuri O.A. dyshohet se gjatë përleshjes e ka goditur tri herë me kaçavidë në qafë të dëmtuarin Sh.A., i cili fillimisht është trajtuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas në QKUK.
“I pandehuri fillimisht e ofendon me fjalë të dëmtuarin, e më pas fillon përleshja, dhe me një mjet të mprehtë – kaçavidë e godet tre herë në pjesën e qafës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Po ashtu, O.A. dyshohet se ka sulmuar me kaçavidë edhe A.N., duke e goditur në krahun e majtë dhe në kokë.
Ndërkaq, D.A., A.A. dhe A.N. dyshohen se kanë marrë pjesë në përleshje, e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor.
“Të pandehurit involvohen në përleshje, duke sulmuar fizikisht njërin-tjetrin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Katër të dyshuarit, që nga 11 gushti, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit.

